Bellai shpërthen ndaj arbitrave: Nuk është futboll ky

Barazimi 1–1 mes Vorës dhe Teutës për javën e 21-të të “Abissnet Superiores” u la në hije nga deklaratat shumë të forta të trajnerit të Vorës, Arjan Bellai, i cili shpërtheu ndaj arbitrimit, duke përdorur citime dhe krahasime të ashpra pas përfundimit të ndeshjes.

“Ne i bëmë llogaritë që në fillim, që kur pamë kush ishte aty te dhoma. U thashë çunave: po nuk bëmë 2–3 gola, është e vështirë ta fitojmë sot”, deklaroi Bellai, duke lënë të kuptohet se skuadra e tij ishte e përgatitur për vështirësi jashtë aspektit sportiv. Më tej ai shtoi: “Nuk është futboll ky, nuk luhet me dirigjent. Ka dy trajnerë në fushë, të tjerët duhet të mbajnë vendin e tyre”.

Trajneri i vorakëve u ndal veçanërisht te arbitri, duke përdorur një shprehje shumë të komentuar: “Ai kishte yllin në ballë. Me yll e di çfarë je, si në kohën e Enverit”. Bellai protestoi edhe për penalltinë e dhënë në fund të ndeshjes: “Dy penallti te Daka që e mban nga dora, duhet të bëhen tri për ne? Është turp. Dhe turpi kishte turp nga turpi sot”.
Pavarësisht polemikave, Bellai vlerësoi skuadrën e tij: “Jam shumë i kënaqur nga çunat. Teuta nuk na rrezikoi, e mbajtëm larg portës”. Ai komentoi edhe zgjedhjet taktike, duke theksuar për Adeloye: “Është momenti. Ai është më i miri nga të gjithë për të qenë në 11-she”.

Në fund, Bellai e mbylli me ironi: “Po duan të luajmë, të luajmë. Po nuk duan, fusim U-19 dhe kalojmë një pasdite të bukur”.

sfidanti.al