Tetova premton ndeshje spektakli në Shkodër

Nga transferta me Tiranën, te transferta me Vllazninë. Egnatia luan sot në Shkodër ndeshjen e javës së 4-t të kampionatit me synimin për t’u kthyer te fitorja.

Trajneri Edlir Tetova, siç pohon se ka pasur mundësinë që të integrojë në grup lojtarët e ardhur në fundin e merkatos. Ai thekson se me Vllazninë është një ndeshje e vështirë rivalësh, një ndeshje për t’u shijuar. Trajneri durrsak i kampionëve në fuqi nuk ka dashur të merret fare me mungesat e kundërshtarit në sfidën e sotme, duke e mbajtur fokusin te skuadra e tij. Rrogozhinasit kryesojnë renditjen e Superiores me 7 pikë pas 3 ndeshjeve të para, ku kanë mundur Dinamon dhe Laçin, ndërsa me Tiranën barazuan.

Tetova, sa ju ka shërbyer kjo periudhë e ndërprerjes së kampionatit?
Mendoj që na ka shërbyer kjo ndërprerje e kampionatit për faktin se disa lojtarë tek Egnatia kanë ardhur në momentet e fundit të merkatos dhe na u desh pak kohë për t’i integruar si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë taktik të skuadrës. Them se çdo gjë po shkon drejt stabilizimit.

Çfarë lloj ndeshjeje prisni në Shkodër, ku do të ndesheni me Vllazninë vendëse për javën e 4-t?
Do të jetë një ndeshje mes dy ekipeve që kanë rivalizuar deri në momentet e fundit në kampionatin e kaluar dhe besoj se do të vazhdojë kështu edhe këtë edicion. Mendimi im është se do të jetë një ndeshje për t’u shijuar kjo që do të luajmë në Shkodër, me gjithë vështirësitë që do të ketë brenda saj.

A do ketë ndonjë ndryshim tek Egnatia në krahasim me ndeshjet e mëparshme?
Na mungon vetëm mbrojtësi Dylis, sepse për shkak të impenjimit me kombëtaren e vendit të tij ai ka të pamundur të arrijë këtë ndeshje. Pjesa tjetër e ekipit është e plotë.

Mungesat janë gjithmonë në futboll, por kur kundërshtari nuk ka gjysmën e ekipi, si Vllaznia në këtë rast, diçka ndryshon… Sa do ndikojë ky faktor në ndeshjen e nesërme (sotme)?
Nuk kam informacion se kush mungon te kundërshtari. Ne luajmë një transfertë të vështirë përballë Vllaznisë dhe vlerësimi është maksimal.

A do ta pranonit edhe një barazim në stadiumin “Loro Boriçi” këtë herë?
Në këtë fillim të kampionatit të rëndësishme janë pikët. Ne si trajnerë e përgatisim ekipin si ta fitojë ndeshjen, por çdo rezultat tjetër duhet pranuar, sigurisht.

 

sfidanti.al