Për herë të parë, mesfushori i Real Madridit, Aurélien Tchouaméni, ka folur për përplasjen e tij me Federico Valverde në qendrën stërvitore të Valdebebas. Mesfushori uruguaian ishte dërguar në spital pas një zënke të supozuar me Tchouaménin për të marrë qepje në kokë, ndërsa të dy u gjobitën me nga 500 mijë euro nga klubi për mungesë disipline.
Valverde foli për herë të parë për incidentin këtë javë, me rastin e grumbullimit të kombëtares së Uruguait para Kupës së Botës. 27-vjeçari nuk dha shumë detaje për ngjarjen, pasi fillimisht kishte mohuar se ishte goditur nga Tchouaméni, por e cilësoi atë si një përvojë nga e cila mund të “rritet dhe piqet” si person. Tani edhe Tchouaméni ka folur për herë të parë, duke sqaruar se ai nuk e ka goditur Valverden.
“Natyrisht, ndodhën disa gjëra dhe ju i keni parë apo dëgjuar në media. Gjithçka u ekzagjerua sepse u bë lajm, dhe kur luan për Real Madridin, reagimi është shumë i madh. U thanë shumë gjëra të pavërteta në media. Lexova se kishte pasur një sherr dhe se e kisha goditur me grusht… gjë që nuk është e vërtetë. Nuk do të hyj në më shumë detaje”, tha ai për Diario AS.
“Më e rëndësishmja është se klubi e di çfarë ka ndodhur. Ka shumë gjëra që ndodhin në dhomat e zhveshjes dhe nuk dalin në media. Jeta vazhdon. Fede dhe unë kemi një objektiv të përbashkët: të fitojmë trofe me Real Madridin. Nuk ka probleme. Dhe nëse përballemi në Kupën e Botës, ne do të japim maksimumin për të fituar me Francën. Në aspektin personal, aktualisht nuk kam asnjë problem me Valverden.”

