Superliga ka aktivizuar zyrtarisht procesin për padinë e madhe që do t’i drejtojë UEFA-s, në kuadër të kërkesës për dëmshpërblim, e cila sipas vlerësimeve mund të variojë nga 4 deri në 5 miliardë euro. Ky hap vjen menjëherë pasi presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, e paralajmëroi gjatë Asamblesë së fundit të klubit.
Një ditë më vonë, kompania A22, e cila menaxhon projektin e Superligës, publikoi një komunikatë zyrtare ku shpjegon arsyetimin dhe hapat ligjorë të ndërmarrë.
“A22 Sports Management njofton se më 21 nëntor 2025 ka nisur procedurat MASC, të detyrueshme sipas legjislacionit spanjoll, të cilat paraprijnë fillimin e një procesi gjyqësor ndaj UEFA-s, me qëllimin për të kërkuar kompensim financiar për dëmet e shkaktuara nga abuzimi i UEFA-s me pozitën e saj dominuese si operator monopolistik i kompeticioneve ndërkufitare të futbollit për klube në Evropë.”
Më 21 dhjetor 2023, Gjykata e Madhe e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian vendosi se UEFA kishte abuzuar me pozitën e saj monopolistike në tregun e kompeticioneve ndërkufitare të klubeve, duke shkelur ligjin e konkurrencës së BE-së. Sipas vendimit, UEFA duhet të hapte tregun për organizatorë të jashtëm, përfshirë A22.
Megjithatë, pavarësisht tri vendimeve të qarta nga gjykata të ndryshme evropiane, përfshirë TJUE-n dhe një gjykatë apeli në Spanjë, UEFA vazhdon të mbajë në fuqi rregullore që bien ndesh me vendimet gjyqësore. Kjo përfshin edhe rregulla të reja të miratuara në vitin 2024, pas vendimit historik të TJUE-së. Sipas A22, duke sfiduar haptazi vendimet gjyqësore, UEFA po përballet tani me kërkesa të rëndësishme për dëmshpërblime nga klubet dhe vetë A22.
Negociatat e vitit 2025 me UEFA-n
Në dhjetor 2024, A22 i kërkoi UEFA-s njohjen e “Ligës së Unifikuar”, propozimi i saj për një format të ri të garave panevropiane. Kjo kërkesë, sipas tyre, ishte plotësisht në përputhje me dispozitat e vendimit të TJUE-së.
Më pas, A22 zhvilloi negociata të vazhdueshme me UEFA-n për shtatë muaj, nga marsi deri në shtator 2025, duke kërkuar një marrëveshje të gjerë dhe bashkëpunuese. Gjatë këtyre bisedimeve, A22 pretendon se ka bërë lëshime të rëndësishme për të afruar modelin e Ligës së Unifikuar me formatet aktuale të UEFA-s.
Propozimet e tyre u fokusuan në tre shtylla kryesore:
- një format të përmirësuar garash,
- një model të modernizuar qeverisjeje,
- implementimin e platformës së re të transmetimit “Unify”, për t’u ofruar tifozëve çmime më të përballueshme dhe teknologji më të avancuar.
Megjithë këto kompromisime, palët nuk arritën në një marrëveshje. Për këtë arsye, A22 deklaron se hapi i vetëm i mundshëm është kërkimi i kompensimit për dëmet që pretendojnë se janë shkaktuar nga veprimet e paligjshme të UEFA-s.
sfidanti.al

