Shaqiri, ylli më i paguar i Lionit do të synojë lavdinë e Zvicrës

Shtatë vjet më parë i bëri reklamën më të mirë vendit të tij të origjinës. Xherdan Shaqiri u bë i famshëm në të gjithë botën, ndërsa festoi fitoren e Championsit me Bajernin në 2013, duke mbajtur mbi supe flamurin e Kosovës. Shqiptari i Zvicrës, pas një karriere të mbushur me suksese, e sfida të vështira, do të përpiqet të bëjë një rinisje që nga Franca. Në moshën 29-vjeçare, u largua nga Liverpuli tek Lioni për të treguar një herë e mirë se mund të jetë titullar i padiskutueshëm në një nga 5 kampionatet më të fortë të botës.

Shaqiri është një fenomen i çuditshëm në futboll. Hero i madh me Zvicrën, me të cilën ka arritur në gati 100 ndeshje e ka shënuar gola të shkëlqyer, duke pasur edhe suksese të spikatura. Me skuadrat e klubeve historia është tjetër. Në 2012, Bajerni i madh e mori që nga Bazeli zviceran duke pasur shpresa të mëdha tek ai. Në Gjermani fitoi gjithçka, Championsin dhe Bundesligën disa herë, por pa mundur kurrë të zinte vend në formacion.

Në 2015 provoi fatin tek Interi në Serinë A, por aventura ishte e shkurtër, ndërsa pasi tentoi suksesin me Stouk Sitin në Angli, arriti një tjetër kulm. Jurgen Klopi e mori tek Liverpuli. Me skuadrën e shquar shënoi gola të veçantë, dhe ishte hero në përmbysjen historike ndaj Barcelonës 4-0 në gjysmëfinale të Championsit. Fitoi titullin në Angli dhe Ligën e Kampionëve, por konkurrenca ishte e ashpër.

Tek Lioni mund të jetë ndryshe. Rroga e tij do të jetë 4 milionë euro në sezon, diçka më pak sesa rreth 4.7 milionët që fitonte në “Anfild”, lojtari më i vlerësuar i ekipit. Rreth 70 milionë euro janë dhënë për kartonin e tij nga 2012-ta deri sot, e shpresa është që Shaqiri të tregojë magjinë që ka me Zvicrën.

Sfidanti.al