Sergio Ramos po përgatitet të rikthehet te Sevilla, por këtë herë në një rol krejt tjetër: si pronar i klubit. Sipas mediave spanjolle, ish-mbrojtësi i Real Madridit ka arritur në princip marrëveshjen me grupin e investitorëve ku ai është pjesë, për blerjen e klubit andaluz. Me të do të jetë edhe partneri i tij, Martin Ink, një nga figurat kryesore të grupit Five Eleven Capital.
Hapat e ardhshëm përfshijnë një rishikim të detajuar të financave të klubit, para nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare. Ramos dhe investitorët kanë tani ekskluzivitetin për të çuar përpara negociatat dhe për të blerë klubin. Flitet për një ofertë rreth 450 milionë euro, për të marrë klubin ku Ramos ka luajtur në dy etapa të karrierës së tij: fillimisht 2003–2005, para se të transferohej te Real Madrid, dhe më pas gjatë sezonit 2023/24, pas dy sezonave të kaluara në PSG. Lajmi vjen pas një takimi mbi dy orë mes Sergio Ramos-it, Pérez Solano-s dhe aksionarëve të klubit, ku u diskutuan oferta dhe projekti për të ardhmen e Sevilla-s. Ky hap tregon se ish-mbrojtësi i Spanjës po ndërton një rol të ri në futbollin europian, duke u shndërruar nga lojtar në pronar dhe strateg i klubit.
sfidanti.al

