Paris Saint-Germain po lëviz me shpejtësi për të siguruar të ardhmen e Khvicha Kvaratskhelia-s, me klubin francez që synon të finalizojë rinovimin e kontratës së yllit gjeorgjian përpara ceremonisë së “Topit të Artë”. Sipas “L’Équipe”, drejtuesit e PSG-së kanë nisur negociatat për një marrëveshje të re, e cila mund ta mbajë Kvaratskhelia-n në “Parc des Princes” deri në vitin 2030 ose 2031. Bisedimet mes palëve raportohet se po ecin në drejtimin e duhur dhe një marrëveshje e re tashmë konsiderohet shumë e mundshme. Në Paris duan ta mbyllin sa më shpejt këtë çështje, pasi ekziston frika se një triumf i mundshëm i Kvaratskhelia-s në garën për “Topin e Artë” mund të rrisë ndjeshëm vlerën e tij dhe kërkesat financiare.
Gjeorgjiani është një prej kandidatëve për çmimin prestigjioz pas një sezoni të jashtëzakonshëm, duke bërë që PSG-ja të kërkojë eliminimin e çdo pasigurie rreth së ardhmes së tij. Kvaratskhelia iu bashkua kampionëve francezë pas aventurës te Napoli dhe shumë shpejt u shndërrua në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës. Paraqitjet e tij kanë bindur drejtuesit e PSG-së se ai duhet të jetë pjesë e projektit të klubit edhe për shumë vite të tjera. Pikërisht për këtë arsye, kampionët francezë duan ta zgjasin bashkëpunimin përtej kontratës aktuale dhe ta lidhin sulmuesin deri në vitin 2031. Objektivi i PSG-së është që marrëveshja të finalizohet para ceremonisë së “Topit të Artë”, për të shmangur një situatë ku çmimi prestigjioz mund të ndikojë në negociata. Në Paris duan ta “blindojnë” Kvaratskhelia-n sa më shpejt dhe t’i japin një tjetër sinjal të fortë rëndësisë që ai ka në projektin e klubit.

