Aston Vila është një klub hijerëndë anglez, 145-vjeçar, një nga më të vjetrit e futbollit botëror, 7 herë kampion i Anglisë e 7 herë fitues i Kupës, por as ky emër i madh nuk i bëri “fajde” në ndeshjen e turit të tretë pikërisht të Kupës së Anglisë. Skuadra nga Birmingami, kampione e Europës në 1982, u mund dhe u eleminua nga Fulhami, që sot është në kategorinë e dytë. Rezultati ishte 2-1 për vendasit në stadiumin “Kraven Kotixh” me gola të shënuar nga Nokert (Knockaert) në 54’, barazim i Xhonatan Koxhias në 64’ dhe Harri Arter për 2-1 në 74’.
“Vilansët” nuk ishin të vetmit që bënë gati “valixhet” për në shtëpi. Brajtoni, një tjetër ekip i Premier Ligës, u mund madje brenda në shtëpi, 0-1 nga Shefild Uensdi. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në 65’ nga Adam Riç (Reach) duke tronditur tifozët vendas. Dramë e vërtetë në duelin Uatford-Trenmër Rovers. Ekipi i kategorisë së tretë u ndodh në humbje 0-3 në përfundim të pjesës së parë, kur Dele-Bashtu, Çalobah dhe Pereira shënuan për skuadrën e Premier Ligës. Pas pushimit, miqtë reaguan duke barazuar në 3-3, falë rrjetave të Xheningsit, Monthit dhe Pol Mulinit. Uatfordi e mbylli ndeshjen me 10 vetë, dhe do të duhet të luajë ndeshjen e përsëritjes në stadiumin e Trenmër Roversit.
Sfidanti.al