“Goli më budalla i historisë”. Kështu u quajt ai i pari që pësoi Liverpuli ndaj Realit, dhe që u krijua nga asgjëja. Më saktë, nga vetë njeriu që kishte detyrën të mbronte portën e të kuqve. Me një mendjelehtësi të pabesueshme, Loris Karius, bëri një rivënie të topit në lojë, duke ia dhuruar atë Karim Benzemasë që “falenderoi” dhe shënoi.
Një gafë e përmasave kolosale, edhe pse Liverpuli e kishte humbur fillim që pas daljes së Salahut nga fusha, dhe si lojë, disfata nuk erdhi vetëm nga gabimet e portierit. Gjithsesi, Karius bëri një dëm të madh kur rezultati ishte 0-0, dhe kur anglezët po ia dilnin të mbroheshin, edhe pse me vështirësi. Sa skuadra e kanë fituar Championsin, thjesht duke u mbrojtur? Padyshim, disa!
Karius, megjithatë, nuk u mjaftua me gabimin e parë, por bëri edhe të dytin, duke mos grushtuar siç duhet një gjuajtje të Garet Bejlit nga largësia. Topi u përplas në duart e tij dhe përfundoi në rrjetë. Kjo ishte goditja përfundimtare që i dha fund finales. Karius me siguri ka provuar një ndjenjë të tmerrshme faji dhe pazotësie, që mund t’ia dëmtojë karrierën.
Trajneri Klop u përpoq të mos e “vriste”. “E kuptoj sesi ndihet Lorisi, – tha ai, – ai bëri dy gabime, por kuptohet nuk deshi që t’i bënte, edhe pse na kushtuan shumë. Unë do të vazhdoj ta llogaris si pjesë e skuadrës sonë”.
Sfidanti.al