Guardiola: Liverpuli do të na shohë sezonin e ardhshëm!

Nuk dihet nëse do të jetë në stol edhe për edicionin që pritet të nisë në vjeshtë, por për momentin ai sillet sikur nuk do të largohet nga stadiumi “Etihad”. Mançester Siti pret verdiktin e KAS-it të Lozanës në 13 korrik, për dënimin 2-vjeçar të UEFA-s, por gjithsesi trajneri Pep Guardiola, mendon sikur ky gjyq të mos ekzistojë, ose të jetë i fituar.

“Liverpulit do t’i bëjmë urimet dhe përgëzimet që meriton, – u shpreh katalanasi, – këtë vit pati më shumë dëshirë sesa ne, por sezonin e ardhshëm, kundërshtari do ta ndjejë presionin tonë. Në sport, duhet të provosh veten sa herë që fiton. Jemi shumë të lumtur me atë që kemi bërë deri tani, por asnjëherë nuk është mjaftueshëm. E kaluara është e kaluar”. Mançester Siti do të luftojë për Kupën e Anglisë, por sidomos për Championsin, këtë sezon, ndërsa e ka fituar Kupën e Ligës me finalen ndaj Aston Vilës.

Guardiola vlerësoi lart kolegun dhe rivalin e tij, Jurgen Klop, trajnerin e Liverpulit. “E admiroj, admiroj mënyrën sesi luajnë skuadrat e tij, pasi është një përfitim për futbollin. Është pozitiv, përpiqet të shënojë gola, dhe ky lloj trajneri ndihmon shumë. Ai dëshiron të fitojë, edhe unë dëshiroj që të fitoj”.

Sfidanti.al