Nagelsmann: Ne luajmë për të fituar Euro 2024

Gjemania është gati për ndeshjen e zjarrit me Spanjën, në çerekfinalet e Euro 2024. Trajneri i gjermanëve, Julian Nagelsmann në konferencën për shtyp vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, ndërsa nuk nguroi të përsëriste se objektivi i skuadrës së tij është trofeu. Tekniku 36-vjeçar dha një koment dhe për Lamine Yamal, të cilin edhe pse e vlerësoi për cilësinë, i vuri në dukje një “problem”.

“Gjithçka është gati. E kemi analizuar kundërshtarin dhe kemi planin tonë për këtë ndeshje. Jemi në çerekfinale, por ne duam që të shpallemi kampionë, ashtu si dhe kundërshtarët tanë. Janë dy skuadra cilësore, skuadra që duan të mbajnë topin. Të shohim nëse gjërat do të shkojnë sipas planit.

Yamal është një talent i madh. Por, ai ka rreth vetes dhe shumë lojtarë të tjerë të mirë. Është mjaft i talentuar, elegant dhe mund të krijojë rrezik në çdo situatë, por mos të harrojmë se i mungon përvoja, ndërsa ne kemi lojtarë me shumë eksperiencë”.

Numri një i pankinës gjermane deklaron se ai e ka përgatitur deri në detaje këtë përballje duke treguar se ka dhe një listë me futbollistët që mund të godasin penalltitë, nëse gjithçka shkon tek ruleta ruse.

“Kam një listë të përgatitur, pastaj duhet të shohim nëse ata janë në fushë. Është diçka për të cilën kemi punuar. Jemi në një moment ku duhet të fitosh ose do shkosh në shtëpi. Spanjollët kanë një skuadër që gjithmonë dëshiron të shtyjë shumë lart, me dhe pa top. Është një cilësi e tyre. Kështu krijojnë më shumë opsione shënimi. Kjo sjell rreziqe për të cilat ne duhet të gjejmë zgjidhje, por them se i kemi marrë masat”.

 

sfidanti.al