Pas një sezoni dominues në Premier League, ku fitoi titullin 2024/25 me lehtësi, Liverpool-i i drejtuar nga Arne Slot është gati të bëjë një lëvizje të madhe në merkato. Jeremie Frimpong, një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë në botë, do të bashkohet me kampionët anglezë këtë verë, në një kohë kur klubi po përgatitet për largimin e Trent Alexander-Arnold. Lajmi për largimin e Alexander-Arnold nga klubi i fëmijërisë ka shkaktuar reagime të forta nga tifozët, por drejtuesit e Liverpool-it kanë vepruar me shpejtësi për të mbushur boshllëkun e lënë pas. Slot, që tashmë konsiderohet një nga trajnerët më të mirë në botën e futbollit, ka bindur klubin të investojë në të ardhmen me nënshkrimin e Frimpong për 35 milionë euro, me një kontratë pesëvjeçare.
Përveç transferimit të rëndësishëm, një detaj interesant ka tërhequr vëmendjen: Frimpong do të mbajë fanellën me numrin 30, një zgjedhje e pazakontë në historinë moderne të Liverpool-it. Ky numër nuk është përdorur që nga sezoni 2014/15, kur e mbante Suso. Më herët, këtë numër e kanë mbajtur edhe emra si Charles Itandje, Daniele Padelli, Boudewijn Zenden, Djimi Traore dhe të tjerë, shumica figura të kaluara pa shumë bujë në “Anfield”. Frimpong, i rritur në akademinë e Manchester City-t dhe i afirmuar fillimisht te Celtic para se të shkëlqente me Bayer Leverkusen-in që nga viti 2020, është gati të bëhet pjesë e një epoke të re te Liverpool, me një skuadër që synon të jetë konkurruese në Angli dhe Evropë. Slot tashmë ka hyrë në histori si trajneri i pestë që fiton Premier League në sezonin debutues, dhe me afrime si ajo e Frimpong, duket se projekti i tij është vetëm në fillimet e tij. Edhe pse kanë mbetur vetëm dy ndeshje, ndaj Brighton-it dhe Crystal Palace, kampionët e rinj nuk humbasin kohë për të ndërtuar skuadrën për sezonin e ardhshëm. Me këtë nënshkrim, Liverpool dërgon një mesazh të qartë: titulli nuk ishte fundi, por fillimi i diçkaje edhe më të madhe.
sfidanti.al