Florentino Perez përgatit revolucion te Reali

Reali i Madrid po përgatitet për një revolucion të madh në skuadër për sezonin e ardhshëm. Ndërsa zgjedhjet presidenciale të klubit po afrohen, Florentino Perez dhe stafi i tij po punojnë në heshtje për një projekt të ri ambicioz, që pritet të sjellë të paktën pesë ndryshime të rëndësishme në ekip.

Edhe pse kandidati rival Enrique Riquelme ka nisur të zbulojë emra si Rodri për mesfushën dhe Raul Gonzalez për postin e drejtorit sportiv, kampi i Florentino Perez-it po vazhdon strategjinë tradicionale të diskrecionit. Megjithatë, mediet spanjolle raportojnë se drejtuesit madrilenë kanë avancuar ndjeshëm negociatat për disa përforcime të rëndësishme.

Sipas “Marca”-s, prioriteti kryesor i Realit është rinovimi i mbrojtjes dhe i mesfushës. Dani Carvajal dhe David Alaba kanë konfirmuar tashmë largimin nga klubi, ndërsa ekzistojnë dyshime edhe për gjendjen fizike të Eder Militaos dhe Ferland Mendy. Një nga emrat që ka fituar shumë terren ditët e fundit është Ibrahima Konaté, i cili nuk do të vazhdojë me Liverpoolin dhe mund të transferohet si lojtar i lirë.

Edhe mesfusha konsiderohet një repart që ka nevojë për më shumë kreativitet. Brenda klubit besohet se skuadrës i mungojnë futbollistë krijues për të plotësuar forcën fizike të Aurélien Tchouaméni-t, Federico Valverdes dhe Eduardo Camavingas. Në repartin ofensiv situata duket më e qetë. Rikthimi i Endrick-ut konsiderohet i sigurt dhe drejtuesit madrilenë mendojnë se skuadra tashmë ka disa nga sulmuesit më të mirë në botë. Gjithsesi, shumë do të varet nga trajneri i ri, që sipas raportimeve pritet të jetë José Mourinho.

Nga klubi kanë bërë të ditur se do të mbërrijnë “përforcime të nivelit të lartë”, disa prej të cilave mund të zyrtarizohen edhe para zgjedhjeve të së dielës. Megjithatë, plani kryesor është që emrat e rinj të zbulohen pas procesit zgjedhor, ku Florentino Perez konsiderohet favorit për t’u rizgjedhur. “Gjithmonë kemi kërkuar lojtarët më të mirë për çdo pozicion. Kjo është filozofia jonë prej 26 vitesh dhe nuk ka ndryshuar”, theksojnë burime pranë Realit të Madridit.