Amerika Latine njihet për situatën aspak të këndshme në futboll, por kjo i kaloi caqet. Qindra tifozë hynë në fushën e lojës në përfundim të një ndeshjeje në kampionatin e Kolumbisë, të revoltuar me rezultatet e skuadrës së tyre të zemrës. Flasim për tifozët e ekipit të shquar, Deportivo e Kalit, që ka dalë 10 herë kampion në Kolumbi, por që rrezikon të bjerë nga kategoria. Plot 1 500 tifozë e ndoqën Deportivon në një ndeshje jashtë fushe me shpresë që gjendja të ndryshojë, por përfundimi ishte 2-0 për vendasit.
Kjo bëri që tifozët të vërshonin në fushë duke kaluar gardhin rrethues e duke mposhtur rezistencën e rojeve të sigurisë. Të pakënaqur ata nuk pritën vërshëllimën e arbitrit kryesor, por sulmuan kur kishin mbetur edhe 10 minuta deri në fund të ndeshjes. Ata sulmuan ekipin e tyre, dhe objektivi kryesor ishte trajneri Kandelo, i cili i mori disa goditje. Po ashtu, përkrahësit ishin të revoltuar me sulmuesin e njohur, Gutierrez, dikur lojtar i kombëtares së Kolumbisë. Deportivo është në vendin e fundit të renditjes së kampionatit dhe rrezikon shumë, ndërsa priten masa të ashpra ndëshkuese nga komisionet e disiplinës në Federatën Kolumbiane të Futbollit.
Sfidanti.al