Beloti si Bobo Vieri. Beloti bën të harrohet Baloteli. Është pikërisht momenti i sulmuesit të Torinos dhe të Italisë. E pati të qartë presidenti i klubit “granata”, Urbano Kairo, i cili bindi futbollistin që të rinovojë kontratën. Marrëveshja e re, e lajmëruar zyrtarisht shkon deri në vitin 2021. Nuk jepen të dhëna mbi rrogën që do të marrë “Gjeli”, siç ka nisur të quhet, por është e publikuar klauzola në kontratë në bazë të së cilës klubet jashtë Italisë mund të blejnë kartonin e qendërsulmuesit. Flitet për 100 milionë euro. Disa ditë më parë, mediat britanike njoftonin se Mançester Junajtid është i interesuar për Belotin, dhe se Zhoze Murinjo do të ketë në dispozicion 94 milionë euro për ta marrë. Tani duhet të shtojë edhe 6 milionë të tjera, ndërsa nuk besohet se italiani do të lejohet të shkojë në një klub të Serisë A. Torino nuk dëshiron të bëjë gabimin e Napolit me Higuainin.