Verderi është “dinosauri” i ri i Bundesligës, kalon Hamburgun!

Klubi i shquar i Gjermanisë së Veriut kishte krenarinë e tij të veçantë, atë të anëtarit më të vjetër dhe më të shpeshtë të Bundesligës gjermane. Hamburger SV, shkurt Hamburg (apo më shkurt, HSV), provoi tragjedinë e rënies nga kategoria në maj 2018, duke mbetur në kuotën e 55 sezoneve në elitën e futbollit gjerman. Për fat të keq, nuk ia doli të kthehej në Bundesligë, dhe kjo i dha mundësi një tjetër skuadre të Gjermanisë së Veriut, Verderit të Bremenit, që ta kalonte në renditjen historike.

Verderi do të mbushë sezonin e ardhshëm, 56 vjet në ligën kryesore, pra një më shumë sesa Hamburgu. Bardhëjeshilët, për të cilët tashmë luan shqiptari i Kosovës, Milot Rashica, kanë bërë histori me trajnerët e tyre të famshëm si Oto Rehagel apo edhe Tomas Shaf.

Pas Verderit dhe Hamburgut, vjen Bajerni që, në gusht do të nisë edicionin e tij të 55-të. Në renditje ndjek Shtutgarti me 53 vite deri tani, ndërsa nëse ia del të mbijetojë, do të ketë 54 sezone. Më tej, “pesha të rënda” si Dortmundi, Gladbahu, Shalke apo Frankfurti.

Sfidanti.al