Del Piero, jetë e re në SHBA; me vilë ëndrrash në Bel Air, yll Hollywoodi e futbolli

Për Alesandro Del Pieron, karriera e tij si futbollist ka qenë plot suksese dhe cmimesh ndërkombëtare. Por edhe jeta si ‘pensionist’ nuk po i shkon keq, përkundrazi. Ish sulmuesi i Juventusit tashmë ndodhet në Los Anxheles ku do të marrë të tjera kënaqësi nga jeta. Së pari, 44 vjecari ka blerë një vilë ëndrrash në kodrat e Bel Air pikërisht pranë atyre të Xhek Nikolson, Silvester Stalones, Xhenifer Lopez e Rod Stjuart. Vila ka 5 dhoma gjumi, 6 banjo, një sallë kinemaje, një megapishinë dhe një spa.

Sipas tabloidit britanik ‘The Sun’, Del Piero ka paguar rreth 5.5 milionë Euro për vilën duke kursyer 170 mijë Euro nga vlera fillestare e kërkuar. Por jo vetëm kaq, duket se edhe jeta sociale e Del Pieros është për t’u pasur vërtet zili. Në profilin e tij në Instagram vihen re foto të tij me emrat e famshëm të Hollywoodit si Xhulia Roberts, Xhoni Dep, Arnold Shvarceneger apo Dita Von Tise.

Pavarësisht gjithckaje, futbolli mbetet gjithnjë një plan të parë dhe dashuria e madhe e Alesandro Del Pieros i cili përvecse mbulon rolin e opinionistit për Sky Italian prej disa vitesh, në muajin shkurt bëri të ditur se është bashkëpronari sekret i skuadrës LA10 FC që militon në United Premier Soccer League dhe që ka fanelë me ngjyrat bardhezi, ashtu sikurse edhe Juventusi.

sfidanti.al