Dopingu i kushton shtrenjtë kampiones së botës

Bota e atletikës tronditet nga një tjetër rast dopingu. Atletja keniane, Peres Jepchirchir, kampione e botës në fuqi në maratonë në vitin 2025 dhe fituese e medaljes së artë olimpike në Tokio, është pezulluar për tre vjet për shkelje të rregullave antidoping. Vendimi është bërë i ditur nga Njësia e Integritetit të Atletikës (AIU), e cila ka njoftuar gjithashtu pezullimin e dy vrapuesve të tjerë kenianë. Rasti i Jepchirchir rikthen në vëmendje problemin e dopingut në atletikën keniane, një çështje që vazhdon të shqetësojë institucionet ndërkombëtare të këtij sporti.

Në një komunikatë zyrtare, AIU vlerësoi përparimin e bërë nga autoritetet keniane gjatë pesë viteve të fundit në luftën kundër dopingut, por theksoi se rastet e fundit tregojnë se mbetet ende shumë punë për t’u bërë. Atletika keniane ndodhet nën vëzhgimin e vazhdueshëm të institucioneve globale antidoping, veçanërisht pas vendimit për t’i besuar Nairobit organizimin e Kampionatit Botëror të Atletikës në vitin 2029.

Rreth një muaj më parë, presidenti i World Athletics, Sebastian Coe, gjatë një vizite në Kenia, kishte deklaruar se organizimi i këtij kompeticioni mund të ndihmojë vendin në luftën kundër problemit të dopingut, të cilin e cilësoi si një fenomen të përhapur mes sportistëve kenianë.