Barcelona po investon shumë besim te talenti egjiptian Hamza Abdelkarim, të cilin e konsideron një nga projektet më premtuese për të ardhmen e sulmit. Drejtuesit katalanas janë të bindur se 18-vjeçari ka potencialin për t’u shndërruar në një nga qendërsulmuesit më të mirë në botë.
Hamza u bë më i njohur gjatë Botërorit, ku tërhoqi vëmendjen me paraqitjet e tij me kombëtaren e Egjiptit. Barcelona e kishte afruar fillimisht në formë huazimi gjatë merkatos së dimrit të kaluar, kur futbollisti aktivizohej në ekipet e moshave. Pas paraqitjeve të tij, klubi katalanas vendosi të aktivizonte opsionin e blerjes, duke paguar 1.5 milionë euro.
Besimi te sulmuesi është i madh edhe në nivelet më të larta të drejtimit sportiv. Bojan Krkiç, i cili ndjek nga afër zhvillimin e talenteve të rinj të klubit, nuk i kurseu vlerësimet për egjiptianin në një intervistë për “Catalunya Ràdio”. “Ne kemi sulmuesit më të mirë në botë. Madje kemi edhe një të ri që do të bëhet një nga më të mirët. Hamza Abdelkarim e ka treguar në fazën përgatitore instinktin e tij për gol, një cilësi që është e vështirë të gjendet dhe që ne e kemi në skuadër”, deklaroi Bojan.
Pavarësisht vlerësimit të madh, minutat e aktivizimit të Hamzës në ekipin e parë kanë qenë të kufizuara. Deri tani, ai ka luajtur vetëm 12 minuta në dy ndeshje nën drejtimin e Hansi Flick. Në mesin e tetorit, sulmuesi u aktivizua gjithashtu me Barcelonën B në përballjen ndaj Utebo-s, ku ishte titullar dhe arriti të shënonte një gol.

