Milani po planifikon të ardhmen dhe një nga prioritetet e drejtuesve kuqezi është Adrien Rabiot. Pas marrëveshjes në parim me Christian Pulisicin për rinovimin deri në vitin 2031, klubi italian synon të sigurojë edhe vazhdimësinë e mesfushorit francez. Sipas “Goal.com”, Milani po përgatit një kontratë të re për Rabiotin deri në vitin 2030, me mundësi zgjatjeje edhe për një sezon tjetër.
Francezi iu bashkua kuqezinjve nga Marseille në verën e vitit 2025 dhe është shndërruar në një element të rëndësishëm të skuadrës. Aktualisht, ai përfiton rreth pesë milionë euro neto në sezon, ndërsa paga pritet të mbetet në nivele të ngjashme edhe pas rinovimit. Paraqitjet e Rabiotit kanë bindur drejtuesit se ai duhet të jetë pjesë e projektit afatgjatë të klubit. Mesfushori ka realizuar katër gola dhe ka dhënë tri asistime në shtatë ndeshje të kampionatit këtë sezon.

