Barcelona ka nisur të lëvizë në merkato për të ardhmen dhe një nga emrat që ka tërhequr vëmendjen e drejtorit sportiv Deco është sulmuesi francez Eli Junior Kroupi, i cili aktivizohet te Bournemouth.
Talenti 19-vjeçar zhvilloi një sezon të shkëlqyer në debutimin e tij në Premier League, duke realizuar 13 gola dhe duke konfirmuar potencialin për t’u shndërruar në një nga emrat interesantë të futbollit europian. Pas një periudhe jashtë fushave për shkak të dëmtimit, Kroupi pritet të rikthehet këtë fundjavë, në sfidën që Bournemouth do të luajë ndaj Manchester United.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, mes tyre edhe “Sport”, Barcelona e ka ndjekur nga afër francezin që verën e kaluar dhe po shqyrton mundësinë për të bërë një tjetër përpjekje në merkaton e ardhshme. Drejtuesit katalanas pritet të monitorojnë paraqitjet e tij për të vlerësuar nëse mund të jetë një investim i vlefshëm për repartin ofensiv.

