Carlos Tevez do të zhvillojë ndeshjen e lamtumirës më 20 dhjetor në stadiumin legjendar “La Bombonera”, në Buenos Aires, ku do të ketë mundësinë të përshëndetet për herë të fundit me tifozët e Boca Juniors.
Klubi argjentinas ka dhënë dritën jeshile për organizimin e ndeshjes speciale, e cila pritet të shndërrohet në një mbrëmje të veçantë për ish-sulmuesin, i cili e përfundoi karrierën si futbollist profesionist në vitin 2022. Data është caktuar duke marrë parasysh kalendarin e ngjeshur të Boca Juniors, që është i angazhuar në garat vendore dhe ndërkombëtare.
Messi dhe Ronaldo, ëndrra e madhe e Tevezit
Një nga atraksionet kryesore të kësaj ngjarjeje mund të jetë prania e Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos. Tevez dëshiron t’i bashkojë dy yjet më të mëdhenj të futbollit modern në të njëjtën fushë, në një ndeshje që do të tërhiqte vëmendjen e tifozëve nga e gjithë bota. Megjithatë, pjesëmarrja e tyre ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Tevez ka luajtur me Messin te kombëtarja e Argjentinës, ndërsa me Ronaldon ishte bashkëlojtar te Manchester United, gjatë periudhës 2007–2009.

