Alessandro Bastoni po kalon një vit të vështirë. Mbrojtësi i Interit u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen kundër Shakhtar Donetsk dhe do të mungojë në përballjen e radhës në Champions League ndaj Feyenoordit.
Fitorja e Interit e zbehu disi vëmendjen nga përjashtimi i Bastonit, por kartoni i kuq i krijon një problem trajnerit Cristian Chivu. John Stones mund të rikthehet në dispozicion, ndërsa Benjamin Pavard pritet të mungojë ende.
Pas ndeshjes, Chivu pranoi se mbrojtësi kishte gabuar, pavarësisht provokimeve nga kundërshtarët. “Ai u provokua, por bëri një gabim naiv. Duhet të pranojmë se kundërshtarët mund të na provokojnë dhe të menaxhojmë më mirë frustrimin. Veprime të tilla mund të komprometojnë ndeshjet”, deklaroi trajneri rumun.
Për Bastonin, ky është kartoni i dytë i kuq si qendërmbrojtës në një mbrojtje me tre lojtarë. Episodi i mëparshëm daton më 31 mars, në Zenicë, kur ai u përjashtua në ndeshjen e playoff-it të Botërorit kundër Bosnjë Hercegovinës, të cilën Italia e humbi.
Kartoni i kuq ndaj Shakhtarit erdhi pas dy veprimeve të gabuara brenda pak minutash. Deri në atë moment, Bastoni kishte zhvilluar një paraqitje të mirë, duke i dhënë siguri repartit defensiv dhe duke koordinuar lojën me Akanjin e Carlos Auguston.
Një tjetër episod negativ për mbrojtësin italian, në një vit të shoqëruar nga polemika, çështje jashtë fushës, zhgënjimi me kombëtaren dhe tashmë edhe përjashtimi ndaj Shakhtarit.

