Drejtuesit e Elbasanit pritet të vendosin shumë shpejt se cili do të jetë trajneri i ri i skuadrës. Ai që do të marrë vendin e Ivan Gvozdenoviçit që dha dorëheqjen dhe që do të përpiqet ta rikthejë ekipin te pretendimet për vendet e para.
I sigurt duket fakti se trajneri i ri do të jetë shqiptar. Klubi ka hequr dorë nga trajnerët e huaj dhe mes kandidatëve spikat emri i Glen Dajës, ndihmëstrajner i Dinamos aktualisht. Daja është kandidati kryesor aktualisht dhe nëse nuk do të ketë ndonjë përmbysje të situatës, zyrtarizimi është çështje orësh.
Për Glen Dajën do të ishte eksperienca e parë si trajner i parë. Vitet e fundit ai ka punuar me babanë e tij, Ilir Dajën, fillimisht te Ballkani në Kosovë dhe tani te Dinamo. Duket se ka ardhur momenti që ai të krijojë profilin e tij si trajner i parë dhe do ta niste menjëherë me një ekip elitar dhe në pozita jo të lehta.
Për stolin e Elbasanit janë përmendur edhe emra si Skënder Gega, apo Gentian Mezani, por Glen Daja duket më afër.

