Whittaker mbron titullin botëror

Ben Whittaker vazhdon të jetë i pamposhtur në ring. Boksieri britanik arriti të mbrojë titullin kampion bote në kategorinë “light heavyweight”, duke mposhtur me vendim unanim të gjyqtarëve Conor Wallace. Whittaker e kontrolloi pjesën më të madhe të duelit dhe ndërtoi një avantazh të rëndësishëm në nëntë raundet e para. Britaniku ishte më i saktë në goditje dhe menaxhoi mirë distancën, duke e mbajtur Wallace nën presion. Megjithatë, raundi i 12-të dhe i fundit solli një moment alarmi për kampionin. Wallace goditi fort dhe arriti ta trondiste Whittaker-in, i cili humbi ekuilibrin në disa raste. Britaniku përfundoi tri herë në dyshemenë e ringut gjatë përplasjeve, por gjyqtari nuk e konsideroi asnjërën prej tyre si ‘knockdown’ zyrtar.

Pavarësisht vështirësive në fund, Whittaker arriti ta ruante avantazhin e krijuar gjatë ndeshjes. Të tre gjyqtarët e vlerësuan atë si fitues, me rezultatet 117-111, 116-112 dhe 115-113. Me këtë sukses, Whittaker përmirëson rekordin e tij në 13 fitore dhe një barazim, duke ruajtur statusin e të pamposhturit dhe titullin botëror.