Në Spanjë, fitorja spektakolare e Barcelonës ndaj Feyenoord kaloi disi në plan të dytë, pasi vëmendjen kryesore të mediave e mori mungesa e Raphinhës në listën e 30 kandidatëve për “Topin e Artë”. Për këtë çështje u pyet edhe trajneri Hansi Flick në konferencën për shtyp, i cili u shpreh se braziliani e meritonte të ishte mes kandidatëve. “Besoj se Raphinha e meritonte të ishte pjesë e asaj liste, por kjo është një gjë që nuk mund ta ndryshojmë tani. Lamine Yamal? Ai është një lojtar i imi, një lojtar special, i shkëlqyer. Sigurisht që e meriton Topin e Artë”, deklaroi Flick.
Pas pyetjeve në lidhje me “Topin e Artë”, trajneri gjerman u shfaq i kënaqur me paraqitjen e skuadrës ndaj Feyenoord dhe me startin perfekt të sezonit. “Më pëlqeu shumë ajo që pashë, jemi një ekip me shumë cilësi. Edhe kur ndryshojmë, kur kryejmë zëvendësime, nuk ndryshon cilësia, luajmë në të njëjtën formë. Sigurisht, ka aspekte ku mund të përmirësohemi dhe duhet ta bëjmë diçka të tillë. Në këto ndeshje të para kemi shënuar shumë gola, po luajmë në stilin që dëshirojmë dhe kjo po i pëlqen njerëzve. Edhe pse jemi vetëm në fillim të sezonit, ndjesitë janë pozitive”, u shpreh Flick.
Pas ndeshjes, edhe Raphinha doli përpara gazetarëve, ku pyetja e parë ishte pikërisht për mungesën e tij në listën e 30 kandidatëve për “Topin e Artë”. Braziliani preferoi të mos ndalej te kjo temë, duke e përqendruar vëmendjen te Barcelona. “Nuk dua të flas për këtë pjesë, flas vetëm për Barcelonën. Mund të them me bindje se po zhvillojmë një sezon spektakolar”, deklaroi Raphinha.

