Alarmi te Milani për Gila-n zgjat vetëm pak orë

Alarmi te Milani për Mario Gila-n ka zgjatur vetëm pak orë. Mbrojtësi spanjoll kishte shqetësuar stafin kuqezi pasi u detyrua të largohej nga fusha në fundin e sfidës ndaj Juventusit, por situata duket se nuk është serioze. Gila u zëvendësua në minutën e 88-të të barazimit 1-1 në Torino, pasi ndjeu shqetësim në tendinin patelar. Megjithatë, një ditë më vonë ai u stërvit rregullisht me pjesën tjetër të grupit, duke kryer seancën e rikuperimit së bashku me lojtarët që ishin aktivë ndaj Juventusit. Për momentin, nuk është konsideruar e nevojshme që mbrojtësi t’i nënshtrohet ekzaminimeve të tjera. Kështu, Gila pritet të jetë i gatshëm për sfidën e radhës ndaj Lazios, që do të luhet të shtunën në “Olimpico”.

Për spanjollin do të jetë një ndeshje e veçantë, pasi vetëm pak muaj më parë ishte pjesë e skuadrës bardhekaltër, përpara transferimit te Milani. Vetë Gila ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer në “Olimpico” dhe për të përshëndetur ish-shokët e skuadrës. Tashmë, pas frikës së shkaktuar në Torino, sinjalet nga Milanello janë pozitive dhe mbrojtësi spanjoll synon të jetë në fushë ndaj ish-klubit të tij.