Rreth 100 influencerë të akredituar në US Open kanë shkaktuar ndërprerje të lojës dhe pakënaqësi te tenistët, duke bërë që Wimbledon të marrë masa përpara edicionit të këtij viti. Turneu londinez nuk do të akreditojë influencerë në prag të nisjes së tij, një vendim i marrë pas protestave të shumta nga tenistët, mes tyre edhe Naomi Osaka. Ditët e fundit, 28-vjeçarja japoneze, katër herë kampione e Grand Slam-eve, u bëri thirrje publikut të zhurmshëm në US Open dhe influencerëve të pranishëm në tribuna që të tregonin më shumë “edukatë”. Gjatë një ndeshjeje të turit të dytë, arbitri u detyrua tri herë të kërkonte qetësi, ndërsa që në ndeshjen e parë Osaka kishte ndërprerë shërbimin për shkak të një drite bezdisëse që vinte nga sektori “hospitality”, ku disa influencera po pozonin për fotografi.
Këtë vit, USTA kishte akredituar rreth 100 influencerë, dyfishin e numrit të vitit 2025, në përpjekje për të zgjeruar audiencën dhe për të krijuar një atmosferë të ngjashme me një festival të stilit “Coachella”. Megjithatë, iniciativa rezultoi e kundërt me pritshmëritë, pasi prania e “content creator”-ëve shkaktoi disa ndërprerje të lojës në “Flushing Meadows”. Dy influencera madje u përjashtuan nga US Open vetëm dy orë pasi kishin publikuar në rrjetet sociale kredencialet e tyre. Meg Radice dhe Audrey Jones, protagoniste të “The VIP List”, kanë deklaruar se hyrja e tyre në “Billie Jean King National Tennis Center” u revokua pasi kishin shkuar për darkë në një restorant me të cilin kishin nisur një bashkëpunim gjatë turneut. Në këtë situatë, Wimbledon ka zgjedhur një qasje më të rreptë, duke mos lejuar akreditimin e influencerëve përpara turneut, në një përpjekje për të shmangur skena të ngjashme dhe për të ruajtur përqendrimin dhe qetësinë gjatë ndeshjeve.

