Një tragjedi e rëndë ka tronditur komunitetin sportiv në Shtetet e Bashkuara, pasi dy anëtarë të ekipit të çiklizmit të Milligan University kanë humbur jetën në një aksident të rëndë rrugor në Tennessee. Ngjarja ndodhi të mërkurën në mëngjes në autostradën 19E, në zonën e Carter County, ku një automjet përplasi grupin e çiklistëve. Dy studentët e vitit të dytë, Haylan Engdahl dhe Brayden Rogers, humbën jetën në vendngjarje.
Shtatë anëtarë të tjerë të ekipit u dërguan me urgjencë në Johnson City Medical Center, ndërsa dy prej tyre u transportuan me helikopter. Katër të plagosur raportohet se ndodheshin në gjendje kritike në repartin e terapisë intensive kirurgjikale. Universiteti i Milligan shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e dy sportistëve. “Jemi thellësisht të tronditur dhe të pikëlluar. Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë këtë humbje. Lutjet tona janë me të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi”, thuhej në deklaratën e universitetit. Ndërkohë, drejtuesit e ekipit kanë theksuar se bëhej fjalë për një skuadër elitare çiklizmi, me sportistë të përgatitur dhe me eksperiencë në gara. Drejtuesi i automjetit, John Benfield, 69 vjeç, është arrestuar dhe përballet me dy akuza për vrasje nga pakujdesia me automjet dhe pesë akuza për plagosje të rëndë nga pakujdesia. Hetimet për rrethanat e aksidentit vijojnë.

