Carrick i kënaqur me Rashford

Trajneri i Manchester United, Michael Carrick, ka shprehur kënaqësinë e tij për paraqitjen dhe gjendjen fizike të Marcus Rashford pas rikthimit të sulmuesit në “Old Trafford”. Rashford u rikthye te Manchester United pas huazimit te Barcelona, e cila nuk vendosi ta blejë përfundimisht. Sulmuesi anglez ka marrë pjesë në përgatitjet parasezonale nën drejtimin e Carrick, i cili duket se e ka në planet e tij për sezonin e ri.

“Marcus është rikthyer në mënyrë fantastike. Po e shijon, duket në formë shumë të mirë, i shpejtë, i fortë dhe gati për të luajtur. Jam shumë i kënaqur me mënyrën se si është sjellë që prej rikthimit”, deklaroi Carrick. Sa i përket rolit të Rashfordit në skuadër, trajneri anglez theksoi se ai mund të përdoret edhe në qendër të sulmit. “Ai mund të luajë si sulmues qendre dhe e ka bërë edhe më parë. Nuk do të thosha se është pozicioni i tij kryesor, por është absolutisht në gjendje të luajë aty. Kemi sulmues që na japin shumë fleksibilitet në të gjithë repartin ofensiv”, tha Carrick. Në konferencë, tekniku i “Djajve të Kuq” foli edhe për merkaton, me Manchester United që vijon të kërkojë përforcime, mes tyre edhe mesfushorin Carlos Baleba. “Po përpiqemi thjesht të përforcojmë skuadrën. Po punojmë shumë në këtë drejtim. Objektivi është të shfrytëzojmë çdo mundësi për ta mbyllur merkaton me një organikë më të fortë se ajo me të cilën e nisëm dhe deri tani jemi në rrugën e duhur”, përfundoi Carrick.