Rudi Garcia ka folur për herë të parë për largimin nga drejtimi i kombëtares së Belgjikës, duke lënë edhe disa kritika ndaj stafit mjekësor të “Djajve të Kuq”. Trajneri francez qëndroi për rreth një vit e gjysmë në krye të Belgjikës dhe e udhëhoqi skuadrën deri në çerekfinalet e Botërorit 2026, ku u eliminua nga Spanja. Megjithatë, Federata belge vendosi të mos ia rinovonte kontratën dhe i besoi drejtimin e ekipit Mark van Bommelit.
Në një intervistë për “L’Équipe”, Garcia pranoi se do të kishte dashur të vazhdonte punën me Belgjikën, por theksoi se nuk dëshironte të qëndronte vetëm për arsye komoditeti. “Do të kisha qëndruar me kënaqësi për lojtarët dhe stafin teknik, por nuk doja të bëja një zgjedhje komoditeti”, deklaroi Garcia.
Francezi u shpreh gjithashtu se Botërori 2026 shënoi fundin e një epoke për Belgjikën. Disa prej yjeve të “Gjeneratës së Artë”, si Thibaut Courtois, Kevin De Bruyne dhe Romelu Lukaku, pritet të mos jenë më pjesë e kombëtares. “Doja që legjendat e fundit të kësaj skuadre të largoheshin nga dera kryesore dhe mendoj se misioni u përmbush”, tha trajneri francez.
Megjithatë, Garcia mbetet i zhgënjyer nga mënyra se si u menaxhuan dëmtimet dhe problemet fizike gjatë Botërorit. Ai veçoi rastin e Jérémy Doku, duke lënë të kuptohet se situata të tilla mund të ishin menaxhuar më mirë. “Mund të kishim bërë më mirë pa gjithë problemet me dëmtimet, si në rastin e Doku-t. I kërkova stafit mjekësor t’i menaxhonte këto situata”, u shpreh Garcia.
Trajneri francez e vlerësoi stafin mjekësor si kompetent në profesionin e tij, por vuri në dukje mungesën e përvojës së përditshme në nivelin e klubeve profesioniste. “Janë njerëz kompetentë, por u mungon përvoja e përditshme brenda klubeve profesionale. Me një eksperiencë tjetër do të kishin bërë vlerësime dhe zgjedhje të ndryshme”, përfundoi Garcia.

