Julian Alvarez mbetet një nga objektivat kryesorë të Barcelonës për repartin ofensiv, megjithatë klubi katalanas mund të heqë dorë nga transferimi nëse situata nuk ndryshon gjatë kësaj jave. Sipas raportimeve, Barcelona është informuar se hapi i radhës duhet të jetë një takim mes Miguel Angel Gil Marinit dhe Alvarezit. Drejtuesit katalanas po presin të shohin nëse kjo bisedë mund të ndryshojë qëndrimin e sulmuesit.
Nëse argjentinasi bindet për një largim, atëherë rruga drejt Barcelonës mund të hapet. Brenda Barcelonës besohet se, nëse nuk ka zhvillime konkrete këtë javë, ndjekja e Alvarezit do të braktiset. Katalanasit janë në kërkim të një sulmuesi të ri për pozicionin e numrit nëntë, ndërsa drejtori sportiv Deco po punon prej kohësh për të gjetur profilin e duhur për repartin ofensiv. Barcelona ka shqyrtuar edhe alternativa të tjera, por në disa raste është përballur me çmime të larta ose refuzime. Për këtë arsye, dështimi i operacionit Alvarez do ta detyronte klubin të përshpejtonte kërkimet. Tashmë mbetet për t’u parë nëse takimi mes Gil Marinit dhe Alvarezit do të ndryshojë fatin e transferimit. Në të kundërt, Barcelona mund të mbyllë përfundimisht kapitullin e Alvarezit dhe të fokusohet te një tjetër sulmues.

