Otamendi u përplas me Rodrin pas finales së Botërorit

Pas përfundimit të finales së Kupës së Botës 2026, të fituar nga Spanja ndaj Argjentinës me rezultatin 1-0 falë golit të Ferran Torres në minutën e parë të shtesës së dytë, tensionet vazhduan edhe jashtë fushës. Platforma DAZN Spanjë publikoi një video ku dëgjohet mbrojtësi argjentinas Nicolás Otamendi duke iu drejtuar mesfushorit spanjoll Rodri me tone të ashpra.

“Fillo të flasësh më pak, mik, sepse keni kaluar gjithë javën duke qarë. Gjithë javën duke qarë. Ti dhe Laporte, të dy. Kështu nuk bëhet”, dëgjohet të thotë Otamendi.

Mbrojtësi argjentinas vijoi akuzat, duke iu referuar deklaratave të spanjollëve para finales.

“Keni kaluar gjithë kohën duke u ankuar për arbitrat. Nuk duhej të flisnit para ndeshjes, e di? Nuk e pe çfarë thatë gjatë gjithë javës? Nuk shkon kështu. Ankoheshit për arbitrat, mik”, shtoi ai.

Rodri reagoi menjëherë, duke pyetur: “Për çfarë? Për çfarë? Çfarë kam thënë?”, ndërsa më pas kërkoi “respekt”.

Otamendi nuk u tërhoq dhe iu përgjigj: “Unë kam respekt, por nuk duhet të flisni në atë mënyrë, e kupton?”

Debati lidhet me deklaratat e bëra nga lojtarët e Spanjës para finales. Në konferencën për shtyp, Rodri kishte thënë se skuadra e tij nuk duhej të binte pre e provokimeve të Argjentinës.

“Nuk duhet të biem në provokime. Është pjesë e futbollit. Do të shohim si do të zhvillohet ndeshja, por nuk duhet të lejojmë që provokimet të ndikojnë tek ne”, ishte shprehur mesfushori spanjoll.

Ndërkohë, Aymeric Laporte kishte kritikuar stilin e lojës së Argjentinës, duke deklaruar se në ndeshjet e fundit kishte parë episode të papranueshme.

“Sidomos ndaj Argjentinës kemi parë gjëra që na kanë befasuar. Është një skuadër që pëlqen të lërë gjurmë te kundërshtarët. Kjo nuk duhet të lejohet në futboll, veçanërisht në kompeticione të mëdha, sepse të bën të humbasësh përqendrimin dhe të acarohesh”, kishte deklaruar Laporte.