Rregulli i ri i VAR-it shpjegon kartonin e kuq të Embolo

Përjashtimi me të kuq i Breel Embolos në çerekfinalen e Botërorit 2026 mes Argjentinës dhe Zvicrës ka shkaktuar polemika të mëdha, por gjithçka lidhet me një rregull të ri të VAR-it që po aplikohet për herë të parë në këtë Kupë Bote. Momenti vendimtar erdhi menjëherë pas golit të barazimit të Zvicrës. Fillimisht, arbitri portugez Joao Pinheiro akordoi faull për Leandro Paredes dhe ndëshkoi me karton të verdhë mesfushorin argjentinas.

Megjithatë, sipas protokollit të ri të VAR-it, arbitri u thirr për të rishikuar aksionin në monitor. Pamjet treguan se nuk kishte asnjë faull nga Paredes dhe se Embolo kishte simuluar kontaktin për të fituar goditjen e lirë.
Pasi anuloi kartonin e verdhë të Paredes, arbitri ishte i detyruar të ndëshkonte futbollistin zviceran për simulim. Duke qenë se Embolo kishte marrë më parë një karton të verdhë, ai u ndëshkua me të dytin dhe u përjashtua me karton të kuq, duke lënë Zvicrën me 10 lojtarë në një moment vendimtar të ndeshjes.Ky nuk është rasti i parë që zbatohet ky rregull. I njëjti protokoll u përdor edhe në fazën e grupeve, në ndeshjen mes Shteteve të Bashkuara dhe Paraguait. Edhe atëherë arbitri ndryshoi vendimin pas ndërhyrjes së VAR-it, duke ia hequr kartonin lojtarit të ndëshkuar fillimisht dhe duke e kaluar atë te futbollisti që kishte simuluar.

Ky ndryshim në protokollin e VAR-it synon të ndëshkojë simulimet dhe vendimet e gabuara në kohë reale, ndërsa pritet të bëhet pjesë e përhershme e rregullave të arbitrimit edhe në turnetë e ardhshme.