SHBA, Holanda ankohet për hotelin

Nuk ka nisur ende, por Kupa e Botës është shoqëruar nga një sërë polemikash që tani. Botërori më i pasur në histori është i destinuar të prodhojë situata kontroverse të çdo niveli. E fundit ka të bëjë me strukturat që do të presin skuadrat në qytete të ndryshme.

Ja ku vjen edhe i pakënaquri i radhës, Ronald Koeman, që zbarkoi pasditen e së martës në “Hotel Cascade”, në Kansas City. Holanda e tij, e angazhuar në miqësoren me Uzbekistanin, fjeti në New York në një hotel me 4 yje, jo shumë komod.

Trajneri e shprehu hapur pakënaqësinë në konferencë shtypi: “Le të themi se mund të bëhej diçka më mirë”, – tha Koeman. Të martën, pas mbërritjes në Missouri, ai anuloi stërvitjen e programuar. Ndoshta kjo zgjedhje është ndikuar edhe nga fakti se hoteli ku Holanda do të qëndrojë për pjesën e parë të Botërorit, është sërish me 4 yje.

Holanda në fakt nuk është kombëtarja e vetme që ka mbetur jashtë rrjetit të hoteleve të luksit. Në Kansas City do të qëdrojnë në hotele me 4 yje edhe Anglia dhe Argjentina. Këto sistemime janë këshilluar nga FIFA, që ka ofruar suport edhe për fushat e stërvitjes.