Legjenda e Manchester United, Sir Alex Ferguson, është parë për herë të parë në publik pas shqetësimeve shëndetësore që e kishin detyruar të shtrohej në spital në muajin maj. Trajneri legjendar 84-vjeçar nuk ishte parë që nga episodi i ndodhur para ndeshjes dramatike të United ndaj Liverpool-it, kur u transportua me ambulancë në spital në prag të fillimit të takimit në “Old Trafford”. Më pas, ai mungoi edhe në ceremoninë e LMA Awards, duke shtuar shqetësimet për gjendjen e tij. Megjithatë, Ferguson është shfaqur së fundmi në formë të mirë, teksa është fotografuar duke buzëqeshur në një restorant në Wilmslow, Manchester, në shoqërinë e një tifozi.
Fotografia u publikua nga vetë tifozi, Vimal Devassy, i cili tregoi emocionet e forta që përjetoi gjatë takimit me ish-trajnerin historik të United. “Jo çdo foto tregon një histori, disa kapin një ndjenjë. Nuk po dridhesha sepse takova një legjendë të futbollit, por sepse po qëndroja pranë njeriut që ndikoi në rrugëtimin e idhullit tim, Cristiano Ronaldo”, shkroi ai në rrjetet sociale. Devassy shtoi se, pavarësisht se nuk është një tifoz i madh i Manchester United, admirimi për Fergusonin mbetet i madh për rolin e tij në zhvillimin e karrierës së Cristiano Ronaldos.

