Kupa e Botës pritet të sjellë risi të rëndësishme teknologjike, ku një nga më të spikaturat është përdorimi i dronëve për ndërhyrje të shpejtë mjekësore në stadiume. Sipas planeve të organizatorëve, këto pajisje do të funksionojnë si një “ekip reagimi i parë” nga ajri. Dronët e specializuar do të vendosen në pika të ndryshme në SHBA, Kanada dhe Meksikë dhe do të jenë në gjendje të transportojnë pajisje jetike si defibrilatorë, EpiPen, komplete të ndihmës së shpejtë dhe pajisje komunikimi për ekipet mjekësore.
Qëllimi kryesor i kësaj teknologjie është ulja drastike e kohës së reagimit në rast emergjencash në tribuna, ku ndërhyrja e shpejtë mund të jetë vendimtare për shpëtimin e jetës së tifozëve. Dronët “Guardian”, të zhvilluar nga kompania Motorola Solutions, do të kenë kapacitet transporti deri në 4.5 kilogramë, duke i lejuar të dërgojnë pajisje edhe në zonat më të vështira të stadiumeve.

