Deklaratat e vazhdueshme të Maks Vershtapenit dhe aludimet e tij se mund të largohet nga Formula 1 pa shumë zhurmë në fund të vitit 2026 janë çelësi kryesor që mund të hapë “kutinë e surprizave” në tregun e pilotëve për sezonin e ardhshëm. Aktualisht, të gjithë janë në pritje për të kuptuar nëse katër herë kampioni i botës flet seriozisht, apo thjesht po përpiqet të ulë tensionin për shkak të një makine jo konkurruese njëvendëshja RB22 e Red Bullit. Ose, ndoshta, ai ka vërtet ndërmend të largohet nga F1, pavarësisht shanseve për të fituar në vitet e ardhshme me ekipin e tij.
Disa pilotë të mëdhenj përballen me vendime të rëndësishme gjatë vitit 2026, nëse do të qëndrojnë në ekipet aktuale apo do të kërkojnë një ndryshim për të përmirësuar karrierën e tyre. I pari është Luis Hamilton, i cili mund të zgjedhë të vazhdojë me Ferrarin ose të largohet (ndoshta edhe të tërhiqet). Po ashtu, Fernando Alonso përfundon kontratën me Aston Martinin dhe duhet të vendosë për të ardhmen, ndërsa Karlos Sainz mund të zgjedhë midis vazhdimit me Uilliamsin apo një aventure të re. Nëse Verstappen nuk lëviz, është e vështirë të imagjinohen ndryshime të mëdha në merkato. Por nëse ai largohet, do të shkaktohej një efekt domino me pasoja të paparashikueshme. Një vend i lirë te Red Bulli do të ishte jashtëzakonisht i lakmuar. Edhe pse ekipi nuk ka nisur mirë me rregullat e reja, besohet se kjo situatë nuk do të zgjasë. Red Bulli ka burime, financa dhe ambicie për t’u rikthyer në majë shumë shpejt. Sipas “The Race”, një largim i Vershtapenit do të ndizte një seri lëvizjesh zinxhir, disa të pritshme, të tjera krejt të papritura.
sfidanti.al