Tare qetëson ambientin kuqezi: Leao ka edhe dy vite kontratë

Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka folur për të ardhmen e Rafael Leãos, duke dhënë një mesazh të qartë për rëndësinë e tij në skuadër dhe për situatën kontraktuale. Para sfidës ndaj Napoli në stadiumin “Maradona”, Tare theksoi se cilësitë e sulmuesit portugez nuk vihen në diskutim, por ky sezon është ndikuar ndjeshëm nga dëmtimet e shumta që ai ka pësuar. “Leao është një lojtar me cilësi të padiskutueshme. Problemi i tij këtë sezon kanë qenë dëmtimet e shpeshta, të cilat nuk e kanë lejuar të shprehet në maksimumin e tij”, u shpreh Tare.

Ai shtoi se lojtari ka qenë jashtë për rreth dy javë, por është rikthyer në stërvitje në ditët e fundit dhe për këtë arsye u përfshi në stol për këtë ndeshje: “Ka bërë tri ditët e fundit stërvitje me ekipin. E kemi marrë në stol sepse është një futbollist që mund të bëjë diferencën edhe gjatë lojës”. Në lidhje me të ardhmen e tij, drejtori sportiv i kuqezinjve u tregua i prerë: “Për sa di unë, Leao ka edhe dy vite kontratë dhe mbetet një element shumë i rëndësishëm për Milanin”.

sfidanti.al