Bisedimet me Corinthians janë në fazën finale. Klubi kuqezi ka gati një kontratë deri në 2031-shin me mesfushorin brazilian.
Milani ka vendosur të shpenzojë. Duhen 17 milionë euro për brazilianin André, virtualisht përforcimi i parë i Igli Tares për verën e ardhshme. Orët e fundit ka pasur konfirmime nga Brazili se marrëveshja është shumë afër mes dy klubeve. Fjalën e fundit do ta thotë numri 1 i klubit brazilian, Osmar Stabile.
Presidenti i Corinthias duhet të bindë trajnerin Dorival Junior, që nuk ka dëshirë ta humbasë mesfushorin gjatë sezonit. Megjithatë, marrëveshja pritet të mbyllet pozitivisht.
André, 19 vjeç, është rritur te Corinthians. Këtë sezon ka luajtur 8 ndeshje dhe ka shënuar 2 gola. Ngjan shumë në lojë me Fofana të Milanit, një lojtar që pëlqen të dalë përpara. Mesfushori klasik “box-to-box”, por më teknik se francezi, më afër golit dhe me marzh rritjeje.
Dhe për t’i bërë vend brazilianit mund të largohet pikërisht Youssouf Fofana, që në dimër u kërkua nga klube të ndryshme. André pritet që te Milani të firmosë një kontratë deri në vitin 2031. Për të klubi kuqezi ka vendosur të shpenzojë 15 milionë euro, plus 2 milionë euro bonuse. Një investim i konsiderueshëm për një klub që shpesh ka “peshkuar” në Brazil.

