Futbollisti sulmon një rekrutues të ushtrisë së Kievit

Futbollisti ukrainas i lindur në vitin 2004, Danylo Kolesnyk, është përfshirë në polemika të rënda pas një incidenti që rezultoi me largimin e tij nga klubi i tij, FC Kolos, që luan në elitën e futbollit ukrainas. Ngjarja u bë publike pas një videoje që Kolesnyk kishte postuar në rrjetet sociale, e cila më pas u fshi dhe profili i tij u mbyll, por videoja ishte shpërndarë më parë në mbarë botën. Incidenti ndodhi kur Kolesnyk u ndalua rrugët e Bucha-s nga një ushtar i Qendrës Territoriale për Rekrutimin dhe Mbështetjen Sociale, për një kontroll të dokumenteve të regjistrimit ushtarak. Futbollisti besonte se nuk ishte i detyruar të paraqitej dhe, përballë insistimeve të ushtarit, reagoi fizikisht, duke shkaktuar një përplasje të shkurtër e cila u filmua. Pas incidentit, Kolesnyk u arrestua sipas nenit 208 të Kodit të Procedurës Penale ukrainase. Në reagimin e tij zyrtar, FC Kolos njoftoi pezullimin dhe më pas largimin e futbollistit nga skuadra “Kolos-2”, duke shprehur mbështetje të plotë për ushtarët që shërbejnë në front dhe në mbrojtjen e vendit.

Klubi theksoi: “FC Kolos dhe presidenti ynë, Andriy Zasukha, kërkojnë falje ndaj komunitetit ukrainas dhe veçanërisht ndaj forcave tona të armatosura për incidentin me futbollistin Danylo Kolesnyk. Klubi dënon çdo formë dhune dhe sjelljeje të papërshtatshme, sidomos ndaj ushtrisë ukrainase.” FC Kolos kujtoi gjithashtu kontributet e tij që nga fillimi i luftës: donacione të rregullta, furnizim me automjete dhe pajisje për njësitë ushtarake, dhe ofrimin e banesave sociale për ushtarët dhe familjet e tyre. Sipas klubit, mbështetja e Forcave të Mbrojtjes të Ukrainës mbetet një nga prioritetet kryesore.

sfidanti.al