Milani në garë për Zirkzee

Maratona e janarit nuk ka nisur ende, por Milani është futur në garë për goditjen e madhe. Emri në krye të listës së Igli Tares është ai i Joshua Zirkzee, një dëshirë e vjetër e kuqezinjve që tani kërkon rilindjen pas një periudhe të errët te Manchester United.

Milani nuk është vetëm në këtë garë, sumuesi holandez ndiqet edhe nga Roma prej kohësh, pasi pëlqehet shumë nga trajneri Gian Piero Gasperini. Romës i duhet një lojtar i ri në sulm, pas dështimit të Ferguson.

Te Milani po lëvizin me vendosmëri për t’i dhuruar trajnerit Allegri një alternativë luksi. Leao dhe Pulisic janë të paprekshëm, ndërsa Santiago Gimenez është kthyer në një mister pas dëmtimit në kaviljen e majtë. Meksikani është i pari që mund të largohet dhe interes për të kanë shfaqur klube nga Gjermania.

Edhe Christopher Nkunku është larg pritshmërive, prandaj Tare ka nisur bisedimet me agjentin Kia Joorabchian për transferimin e Zirkzee. Sulmuesi u ble 42.5 milionë euro dhe nuk është i pashitshëm nga “Red Devils”, por operacioni është i komplikuar.

Manchester United e pranon huazimin e lojtarit, por pretendon detyrimin e blerjes për rreth 35 milionë euro, në rast kualifikimi në Champions. Milani në anën tjetër kërkon vetëm një të drejtë blerjeje të thjeshtë. Për shkak të Kupës së Afrikës, ku do të impenjohen Mbeumo dhe Diallo, United nuk mund ta lirojë holandezin në fillim të janarit, por në ditët e fundit të merkatos së dimrit.

Alternativat për sulmin e Milanit janë Icardi dhe Fullkrug, nëse përpjekjet për afrimin e Zirkzee nuk do të finalizohen nga Tare.

sfidanti.al