Tre futbollistë të Ilirisë shkojnë për ndjekje penale

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. S., B. S. dhe J. S., të tre futbollistë, pasi dje, përpara fillimit të ndeshjes së futbollit “Iliria-Skënderbeu”, dyshohet se janë konfliktuar në dhomat e zhveshjes, me futbollistët e ekipit kundërshtar. Si pasojë është dëmtuar lehtë, futbollisti Saleh Nasr.

NGJARJA

Iliria-Skënderbeu ishte një prej ndeshjeve më të rëndësishme, që ishte programuar të luhej dje në kuadër të javës së 14-të të Kategorisë së Parë. Por para ndeshjes në stadiumin “Redi Maloku” janë sulmuar lojtarët e Skënderbeut dhe trajneri Ernest Gjoka. Episodi i dhunshëm ka ndodhur në dhomat e zhveshjes. Të dhunuar përveç Gjokës janë edhe Saleh Nasr, Altin Ukiçi dhe Mario Gjata.

Pas kësaj ngjarjeje ka reaguar dhe FSHF, teksa ka njoftuar se ndeshja e javës së 14-të, Iliria–Skënderbeu, e programuar për t’u luajtur dje në orën 13:30 në stadiumin “Redi Maloku” në Fushë-Krujë, nuk është zhvilluar për shkak të shqetësimeve të raportuara lidhur me kushtet e sigurisë.

Ky takim ishte karakterizuar nga tensioni edhe në Korçë. Skënderbeu e fitonte 2 me 0 atë përballje me pretendentët për ngjitjen në Superiore. Skënderbeu kryeson i pashqetësuar renditjen e Kategorisë së Parë. Iliria me 16 pikë më pak ndodhet në vendin e pestë.