Ivanovic depoziton kërkesën për divorc, përfundon martesa 9-vjeçare me Schweinsteiger

Marrëdhënia mes ish-tenistes së njohur serbe Ana Ivanovic dhe kampionit të botës me Gjermaninë, Bastian Schweinsteiger, ka ardhur zyrtarisht drejt fundit. Sipas të përditshmes gjermane BILD, Ivanovic, 38 vjeç, ka depozituar ditët e fundit në Gjykatën e Mynihut kërkesën për divorc, duke vulosur kështu fundin e një prej lidhjeve më të komentuarave në botën e sportit.

Zërat për një krizë të thellë në çift kishin nisur që në fillim të vitit 2025, por në muajin korrik u konfirmuan zyrtarisht nga avokati i Ivanovic, i cili përmendi formulën tashmë të njohur të “dallimeve të pajtueshme”, si arsye për ndarjen. Tashmë është bërë e qartë se pas disa muajsh përpjekjesh, dyshja nuk ka mundur të gjejë një gjuhë të përbashkët për pajtim.

Ivanovic dhe Schweinsteiger u martuan në vitin 2016 dhe gjatë bashkëjetesës së tyre u bënë prindër të tre fëmijëve: Luka (2018), Leon (2019) dhe Theo (2023). Sipas mediave gjermane, ish-tenistja ka kërkuar që futbollisti, fitues i Kupës së Botës 2014, të marrë përsipër detyrimet e mirëmbajtjes së fëmijëve në Palma de Mallorca, ku jeton sot ajo së bashku me tre të vegjlit. Fundit të një martese që dikur dukej e pathyeshme, i vjen kështu vulë zyrtare, duke mbyllur një kapitull të rëndësishëm për dy prej emrave më të njohur të sportit botëror.