Kushti që Hansi Flick i ka vënë Szczesnyt për ta lejuar që të tymosë

Portieri i Barcelonës, Wojciech Szczesny, i njohur për vesin e tij të tymosjes, ka zbuluar një detaj interesant nga marrëdhënia me trajnerin Hansi Flick. Në një intervistë për revistën polake GQ, Szczesny tregoi se ka arritur një lloj pakti me trajnerin, duke bërë të qartë se mund të vazhdojë të tymosë, por vetëm nëse performon në mënyrë të shkëlqyer në fushë.

“Unë dhe trajneri ishim në saunë dhe e pyeta çfarë mendonte. Ai më tha se e rëndësishme është ajo që bëj në fushë. ‘Sa të jesh superprofesional, mund të tymosësh edhe gjatë paradave për titullin’, kështu më tha,” rrëfeu Szczesny, 35 vjeç. Megjithatë, jo të gjithë trajnerët janë kaq të durueshëm. Polaku kujtoi një episod nga koha e tij tek Arsenal, nën drejtimin e Arsène Wenger-it. Pas një humbjeje 2-0 ndaj Southampton-it në janar 2015, Szczesny ndezi një cigare brenda dhomës së zhveshjes, çka i kushtoi shtrenjtë:

“Tek Arsenal ishte e ndaluar të tymosje në dhomën e zhveshjes. Trajneri e dinte që unë tymosja pas ndeshjeve. Por atë ditë Wenger më pa duke ndezur cigaren dhe më përjashtoi. Sot kjo nuk do të ndodhte, sepse do të kisha një marrëdhënie të hapur me trajnerin që do të më lejonte të thosha: ‘Më vjen keq, por kam nevojë të tymos jashtë fushës’,” shtoi Szczesny. Pas atij episodi, portieri luajti vetëm pesë ndeshje të tjera me Arsenal-in dhe më pas u transferua te Juventus në Itali. Ky rrëfim tregon qartë se për Szczesny-n, profesionalizmi në fushë është gjithçka, edhe pse jashtë saj ka zakone të pazakonta për një futbollist modern.

sfidanti.al