Skiatorja italo-shqiptare, Lara Colturi, vazhdon të mahnitë botën e skive alpine. Në sllallomin e Kupës së Botës, të zhvilluar sot në Gurgl të Austrisë, 19-vjeçarja u ngjit sërish në podium, duke zënë vendin e dytë, i njëjti rezultat që ajo arriti vetëm tetë ditë më parë në pistën e Levi-t.
Colturi po zhvillon një fillim sezoni spektakolar: në tri garat ku ka marrë pjesë deri tani, ajo ka siguruar dy podiume dhe në të dyja herët është renditur e dyta. Flamuri kuqezi valëviti përsëri në majat e skive botërore falë formës së saj të shkëlqyer dhe qetësisë me të cilën ajo po menaxhon garat.
Me kohën e përgjithshme 1’49”34, Colturi u pozicionua menjëherë pas ‘yllit’ amerikan, Mikaela Shiffrin, e cila triumfoi me 1’48”11, duke shënuar fitoren e saj të 103-të në Kupën e Botës, një shifër që e konfirmon si ikonën absolute të disiplinës.
Edhe këtë herë, Lara ishte e qëndrueshme në të dyja zbritjet: pas së parës regjistroi 54”53, duke u renditur e dyta, dhe në zbritjen vendimtare realizoi 54”81, duke blinduar pozicionin e saj. Ky është podiumi i pestë në karrierën e saj dhe një tjetër dëshmi se talenti i saj po rritet me një ritëm mbresëlënës.
Gurgl duket se është një pistë me fat për të: edhe një vit më parë Colturi u rendit e dyta pas Shiffrin në këtë disiplinë. Por mbi të gjitha, rezultatet e këtij fillim-sezoni tregojnë se 2025–2026 mund të jetë sezoni i kthesës së madhe për skiatoren kuqezi, e cila po ngjitet me shpejtësi në elitën e skive botërore.
sfidanti.al

