Stankovic shpërthen ndaj gazetarit dhe jep dorëheqjen nga Spartaku i Moskës

Dejan Stankovic nuk është më trajner i Spartakut të Moskës. Klubi më i njohur në Rusi ka njoftuar zyrtarisht ndërprerjen me “marrëveshje të përbashkët” të bashkëpunimit me trajnerin serb, i cili më pas ka dhënë edhe një deklaratë lamtumire plot emocione. “Sapo kam mbyllur një kapitull të rëndësishëm në karrierën time. Jam krenar që kam punuar te Spartaku, nga sekonda e parë deri në të fundit. Disa gjëra funksionuan, disa jo, por mund ta them me bindje se Spartaku është klubi më i madh në Rusi. Moska është bërë shtëpia ime dhe ky klub do të mbetet gjithmonë në zemrën time,” – tha Stankovic.

Trajneri 47-vjeçar mori drejtimin e Spartakut në korrik të vitit 2024, duke e çuar skuadrën në vendin e katërt në kampionat dhe në gjysmëfinalen e Kupës së Rusisë. Megjithatë, sezoni aktual nuk nisi mirë për të: pas 15 ndeshjeve, Spartaku renditej i gjashti me katër humbje, gjë që solli rritjen e presionit ndaj tij.

Dorëheqja e Stankovic erdhi vetëm pak orë pas një episodi të tensionuar me një gazetar, pas ndeshjes së fituar 2-1 ndaj Akhmat Grozny. I irrituar nga një pyetje që e konsideroi provokuese, trajneri shpërtheu në tri gjuhë të ndryshme, anglisht, italisht dhe serbisht, duke iu drejtuar gazetarit me fjalët: “Pse më provokon? Di vetëm të thuash marrëzira.” Ky incident, i cili bëri menjëherë bujë në mediet ruse dhe ndërkombëtare, duket se ishte pika e fundit e një periudhe të tensionuar që çoi në ndarjen përfundimtare mes Stankovic-it dhe Spartakut.

sfidanti.al