Emri i Robson de Souza, i njohur në botën e futbollit si Robinho, ka lënë gjurmë te tifozët e Real Madridit, Manchester City-t dhe Milanit. Dy dekada më vonë, është djali i tij që po ndjek gjurmët e ish-‘yllit’ brazilian: Robinho Junior, 18 vjeç, po shkëlqen me fanellën e Santosit dhe tashmë po tërheq vëmendjen e klubeve europiane.
I rritur në akademinë e Santosit, Robinho Junior luan si anësor ofensiv dhe konsiderohet si një nga talentët më premtues të futbollit brazilian. Gjatë vitit 2025 ai ka bërë dhjetë paraqitje në ‘Brasileirão’, duke treguar cilësi të larta teknike dhe pjekuri në lojë, pavarësisht moshës së re.
Sipas medieve italiane, Espanyoli nga Barcelona ka shfaqur interes konkret për të, duke e parë si një investim afatgjatë për të ardhmen. Megjithatë, Santos-i nuk dëshiron ta lëshojë menjëherë talentin e vet më të madh. Klubi, ndonëse përballet me vështirësi financiare dhe mundësi shitjesh në merkaton e ardhshme, synon ta mbajë Juniorin të paktën edhe një sezon për ta konsoliduar në ekipin e parë përpara një transferimi të madh në Europë.
Robinho Junior shihet si trashëgimtari natyror i stilit magjepsës të të atit, me shpejtësi, teknikë dhe kreativitet që e veçojnë nga bashkëmoshatarët. Nëse zhvillimi i tij vazhdon në këtë ritëm, kalimi në Europë duket vetëm çështje kohe dhe Espanyoli mund të jetë porta e parë drejt ëndrrës së madhe ndërkombëtare.
sfidanti.al

