Itali, sulmohet autobusi që transportonte tifozët, ndërron jetë shoferi

Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në autostradën Rieti-Terni, ku si pasojë e një sulmi me gurë ndaj autobusit që po transportonte tifozën e Pistoa Basket, ka humbur jetën shoferi i mjetit. Autobusi po largohej nga qyteti për t’u kthyer në Toskanë pas ndeshjes së Serie A2 midis Rietit dhe Estra Pistoias,  dhe pak pas përfundimit të shoqërimit nga policia, është sulmuar me gurë nga persona ende të paidentifikuar. Një prej gurëve ka goditur shoferin e dytë, Raffaele Marianella, i cili ishte në sediljen e pasagjerit. Fatkeqësisht 65-vjeçari ndërroi jetë menjëherë pavarësisht ndërhyrjes së ekipit të emergjencës.

Në bord ishin tifozë të ekipit të basketbollit të Pistoias që ktheheshin nga ndeshja e ligës A2 e zhvilluar në PalaSojourner kundër Sebastiani Basket Rieti. Ndeshja në PalaSojourner, u shoqërua me momente tensioni në tribunë, ndërsa policina u detyrua të ndërhynte për të ndarë tifozët. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet dhe paraprakisht raportohet se autorët ende të paidentifikuar mbanin veshur kapuçë.

Në dritën e raporteve fillestare dhe në pritje të hetimeve zyrtare gjyqësore, Klubi shprehu tronditjen për ngjarjen e rëndë. Kryetari i bashkisë së Pistoias, Alessandro Tomasi dënoi sulmin dhe i shprehu ngushëllimet e tij familjes së viktimës.

Një akt kriminal, sulmi me gurë ndaj autobusit të tifozëve të Pistoia Basket pas ndeshjes kundër Rieti-t. Ne qëndrojmë me familjen e shoferit që u vra”, tha ai. “Por si mund të vdesë dikush kështu, teksa kthehet në shtëpi nga një ndeshje basketbolli? Sulmi i kryer këtë mbrëmje pranë Rietit nga kriminelë që u bënë vrasës dhe që nuk mund të quhen kurrë tifozë është tronditës. Ngushëllimet tona familjes së shoferit të dytë të autobusit të tifozëve të Pistoias, i cili u qëllua për vdekje”, shkroi Ministri i Sportit Andrea Abodi në X.

sfidanti.al