Problemet me dëmtimet po shtohen për Milanin e Massimiliano Allegrit, që pas pushimit të kombëtareve rrezikon të rikthehet në fushë pa disa prej lojtarëve kryesorë. Pas Saelemaekers, i dëmtuar me Belgjikën, dhe Leao-s, i dërguar në shtëpi nga Portugalia sepse nuk është ende në formë, tani vjen edhe lajmi i keq për Christian Pulisic.
Sulmuesi amerikan, golashënuesi më i mirë sezonal i kuqezinjve, është larguar nga fusha pas vetëm gjysmë ore në ndeshjen SHBA–Australi, pasi, siç shpjegoi trajneri Mauricio Pochettino, “ka ndier diçka në bicepsin femoral”. Pulisic do të kthehet sot në Itali për të kryer kontrollet mjekësore, ndërsa stafi shpreson që dëmtimi të jetë i lehtë dhe të jetë ndalur në kohë.
Në pritje të përgjigjeve, Allegri duhet të përgatisë ndeshjen kundër Fiorentinës mes shumë pikëpyetjeve. Nkunku duket gati dhe në formë pas golit me Francën, ndërsa Gimenez do të jetë titullar. Për Leao-n do të vendoset në ditët në vijim, pasi portugezi ende nuk ka minutazh të plotë. Një opsion tjetër është Loftus-Cheek në rolin e sulmuesit të dytë.
Dëmtimi i Pulisic mund ta detyrojë Allegrin të ndryshojë sistemin, duke kaluar nga 3-5-2 në 4-3-3, ndërkohë që Milani përgatitet për një seri ndeshjesh vendimtare kundër Atalantës, Romës, Parmës dhe Interit, përballje që mund të përcaktojnë ecurinë e sezonit.